Ndryshimi klimatik
KOMPENSIMI I DYOKSIDIT TË KARBONIT – DHE GJITHÇKA DO TË JETË NË RREGULL?
Ofertat për kompensimin e dyoksidit të karbonit premtojnë të kompensojnë emetimet e gazrave të shkaktuara nga individët, psh. Gjatë udhëtimeve ajrore, me donacione për projekte klimatike. Mirëpo, vallë a nuk po e qetësojmë thjeshtë ndërgjegjen tonë fajtore?
Falë edhe studentëve që në rrugë dalin çdo të premte nën moton Fridays for Future, shumica e njerëzve pyeten se çfarë kontributi mund të japin personalisht në mbrojtjen e klimës. Demonstruesit nuk u bëjnë thirrje vetëm qeverive për të vepruar. Nëse i përcjellim aktivistët e klimës, secili individ duhet të ndryshojë sjelljen e tij. Mënyra jonë e tanishme e jetës e ngarkon mjedisin, përfshirë këtu edhe trendin për udhëtime ajrore. Mirëpo, a do të thotë kjo se ne plotësisht duhet të heqim dorë nga udhëtimet ajrore?
Disa kompani ofrojnë alternativë: kompensim të dyoksidit të karbonit. Çdo njeri i ndërgjegjshëm për klimën, që herë pas here dëshiron të udhëtojë me aeroplan, të paktën mund të bëjë një kompensim. Parimi është i thjeshtë. Llogariten emetimet e dyoksidit të karbonit të shkaktuara nga një fluturim dhe dhurohet një sasi përkatëse për projektet e mbrojtjes së klimës që ulin sasinë e dyoksidit të karbonit. Me këto donacione do të mbillen pemë dhe do të ndërtohen turbina me erë. Dëmi mjedisor i shkaktuar nga udhëtimi duhet sërish të kompensohet.
KOMPENSIM I DyOKSIDIT TË KARBONIT PËR UDHËTIME
Matur nga sasia e parave të mbledhura çdo vit, organizata joqeveritare (OJQ) atmosfair është ofruesi më i madh i Gjermanisë për kompensimin e dyoksidit të karbonit. Individët dhe kompanitë mund të përdorin faqen e internetit për të llogaritur sa dyoksid karboni do të emetohet nga fluturimi ose lundrimi i tyre i ardhshëm dhe më pas të dhurojnë një sasi përkatëse parash. Për shembull, sipas atmosfair, një fluturim nga Berlini për në Nju Jork për pasagjerë të klasës Economy shkakton më shumë se 1,2 tonë emetim të dyoksidit të karbonit, prandaj OJQ-ja propozon një kompensim prej 30 eurosh. Kjo mund të zhvillohet në faqen e internetit dhe, nëse dëshironi, t'i dedikohet një projekti specifik.
Pothuajse gjashtë milion euro kanë depërtuar në projekte hidroenergjetike në Honduras në vitin 2017, në furra efikase në Indi apo në impiante solare për përpunimin e ujit të pijshëm në Egjipt.
Sipas të dhënave nga atmosfair, më pak se një për qind e të gjitha fluturimeve janë duke u kompensuar në të gjithë Gjermaninë. Sidoqoftë, kompensimi i dyoksidit të karbonit është në trend, dhe gjithashtu gjithnjë e më shumë kompani po zbulojnë këtë temë. Numri i fluturimeve të kompensuara në atmosfair u rrit me 50 për qind nga viti 2017 në vitin 2018, ndërsa edhe ofruesit e tjerë po raportojnë gjithashtu për një rritje të kërkesës.
pyllëzimi për kërkimet online
Ka edhe ofrues që premtojnë kompensim në fushën e digjitalizimit - veçanërisht për kërkimet në Internet. Sepse, jo vetëm pajisjet fundore elektronike si: telefonat inteligjentë, laptopët dhe celularët konsumojnë energji, por edhe serverat, rrjetet dhe ruterët në sfond, dhe kështu e ngarkojnë klimën. Që nga viti 2015 artistja Joana Moll ka vizualizuar emisionet e dyoksidit të karbonit në kërkimet në Google me projektin CO2GLE. Sipas llogaritjeve të saj, për një kërkim në internet lirohen në atmosferë rreth 10 gram dyoksid karboni.
Kompania Ecosia nga Berlini ka zhvilluar një motor kërkimi me standarde ekologjike. Ajo i përdor fitimet e saj për të mbjellë pemë atje, ku sipas themeluesve, janë më të domosdoshme, domethënë, veçanërisht pranë ekuatorit, në vendin e pyjeve më të mëdha të shiut. Për dhjetë vjet në këtë mënyrë janë mbjellë rreth 60 milionë pemë. Sipas kompanisë, çdo kërkim i 45-të shton një pemë tjetër.
Sigurisht, një pemë e sapombjellur nuk lidh menjëherë sasi të mëdha të dyoksidit të karbonit, por sasia shtohet me rritjen e tyre. Nëse e llogarisim për 80 vjet, një pemë lidh rreth 12,5 kilogram dyoksid karboni. Sipas llogaritjes së Moll, 45 kërkime shkaktojnë më pak se gjysmë kilogram dyoksid karboni, gjë që Ecosia-n e bën një projekt jo vetëm të neutralizimit të dyoksidit të karbonit, por një projekt me efekte pozitive të lidhjes së dyoksidit të karbonit.
kompensimi krijon ndërgjegje
Me një pjesëmarrje në treg prej vetëm një pjese të një përqindëshit (Neue Züricher Zeitung e vlerëson në 0,22 për qind) Ecosia është shumë larg për ta rrëzuar Google nga vendi i parë. Edhe kompensimi i karbonit për fluturimet nuk është një fenomen masiv. Kritikët argumentojnë gjithsesi se njerëzimi do të bënte më mirë të përqendrohej në zvogëlimin e emetimit të dyoksidit të karbonit sesa në kompensimin e tij.
Vetë ofruesit e kompensimit në princip pajtohen: „ Kompensimi është gjithmonë vetëm opsioni i tretë më i mirë - pas shmangies dhe reduktimit", tha për Deutsche Welle Dietrich Brockhagen, drejtori menaxhues i atmosfair. Por, të paktën projektet për kompensim dhe pyllëzim krijojnë një vetëdije më të fuqishme për gjurmën ekologjike të individit. Efekti nuk mund të hiqet plotësisht. Nëse po aq njerëz do të kërkonin me Ecosia siç bëjnë me Google dhe do të vazhdonin të mbillnin në përputhje me rrethanat, pemët e sapombjellura në këtë mënyrë së shpejti do të mund të lidhnin 15 për qind të gazrave serrë të bëra nga njeriu - të paktën kështu janë llogaritjet e vetë kompanisë.