Transport publik pa pagesë në Talin
NJË LËVIZJE MË KORREKTE

Ndotja e ajrit nga mjetet motorike është një nga shkaqet kryesore të ndryshimit të klimës. Qytetet e mëdha nëpër botë po luftojnë me problemin e vazhdueshëm të trafikut të tepërt të makinave. Talini në Estoni po e merr rolin e një pionieri.

Vendlindja ime Talini, në të cilin jetojnë rreth gjysmë milioni njerëz, është kryeqyteti i parë evropian që banorëve të saj u ofroi transport publik (TP) me tarifë zero. Kjo masë u prezantua në 2013 me iniciativën e partisë në pushtet dhe u ndesh me kritika, në veçanti nga opozita. Tani, pasi kanë kaluar gati dhjetë vite nga marrja e një vendimi të tillë, është e udhës edhe të bëhet një vlerësim. Vallë ky transport publik pa pagesë ka kontribuar për rënien e trafikut individual e me të edhe për një mjedis më të pastër, si dhe për luftën kundër padrejtësisë sociale? Tallinn: Busse und Bahnen werden rege genutzt Autobusët dhe trenat përdoren në mënyrë aktive. Sipas statistikës, pak më shumë banorë të Talinit përcaktohen për transportin publik sesa për makinën. | © Goethe-Institut Tallinn Për ta zbuluar këtë, takova një specialist, analistin dhe këshilltarin e trafikut Hannes Luts. Rrugës për në takimin tonë, fillimisht mora tramvajin dhe më pas autobusin. Të dy automjetet ishin elegante, të reja dhe të pastra. Sidoqoftë, m’u nevojitën 45 minuta për të arritur atje, gjë që është shumë për një qytet të vogël si Talini, veçanërisht pasi që unë mund të kisha qenë atje për 15 minuta me makinë. Unë nuk jam e kënaqur, dhe sipas Luts, nuk jam e vetmja.

Konkurrencë e fortë nga Car-Sharing

„Nëse i vërejmë statistikat për qytetin Talin, që nga viti 2013 trafiku i makinave ka vazhduar të rritet, ndërsa ka rënë përdorimi i transportit publik. Natyrisht se transporti publik pa pagesë e mban gjallë interesimin, por nuk ka ndonjë ndikim në llojet e ndryshme të trafikut“, thotë Hannes Luts. Në fakt, në shumë qytete, makinat janë akoma më të shpejta se transporti publik. Sidoqoftë, pjesëmarrja e tyre në emetimet e CO2 është gjithashtu tre herë më e lartë. „Për të sjellë një ndryshim të vërtetë, duhet që transportin publik ta bëjmë më tërheqës. Gjëja e parë që dëshirojnë pasagjerët gjithandej është të shkojnë sa më shpejt të jetë e mundur nga A në B. Për më shumë shpejtësi, ne duhet të vendosim korsi të veçanta vetëm për transportin publik. Masat e tilla janë shumë të kushtueshme, dhe pa të ardhura shtesë nga transporti publik qyteti nuk ka fonde për ta bërë këtë.“
 
Sa i përket statistikave, Luts ka të drejtë. Në Talin, numri i automjeteve motorike po rritet me pesë për qind në vit. Sidoqoftë, një numër pak më i madh i banorëve në Talin ende zgjedhin transportin publik në vend të makinës. Megjithatë, nuk duhet harruar që me kalimin e viteve transporti publik ka pasur një konkurrencë të fortë nga ofertat e rëndomta dhe relativisht të lira të Ride-Sharing dhe Car-Sharing, si dhe të e-skuterëve dhe e-biçikletave. Busse und Bahnen: moderne Ausstattung Rëndësi e madhe i kushtohet pajisjeve moderne, por koha e udhëtimit shpeshherë nuk mund të jetë konkurruese ndaj ofertave të Car-Sharing dhe e-biçikletave. | © Goethe-Institut Tallinn Por, sipas Luts, këto mënyra të reja transporti gjithashtu mund të plotësojnë transportin publik. „Një nga mënyrat për ta bërë transportin publik më tërheqës janë ofertat e shumëllojshme. Për shembull, kur pjesëmarrësit në trafik shkojnë në stacionin e autobusit me biçikletë ose e-skuter. Administrata e qytetit do të duhej të përpiqet që lidhjet t'i bëjë sa më të mira dhe më komode.“ Për përdorimin e rehatshëm të sistemeve të shumëllojshme transportuese, ai propozon përdorimin e një aplikacioni: „Përmes një aplikacioni mund të paguhet edhe me ndihmën e celularit. Nëse çmimi është i arsyeshëm, sigurisht se, një tarifë e vogël, për klientët do të ishte e pranueshme.“

Lëvizje pavarësisht nga të ardhurat

Reduktimi i trafikut të makinave është në fakt vetëm një aspekt i strategjisë së transportit publik. Kjo gjithashtu ka të bëjë me të drejtën sociale dhe premtimin për të siguruar që të gjithë të mund të lëvizin pavarësisht nga të ardhurat e tyre.
 
Për shembull, para vitit 2013, një mikeshë e imja studente, kur ajo ishte pak ngushtë financiarisht, doli me të gjitha llojet e mundshme të ideve për të kursyer para nga një biletë autobusi. Një nga këto ide ishte që bileta të zhvlerësohet vetëm kur inspektorët hynin në automjet. Kjo me siguri duhet të ketë qenë shumë shqetësuese për të. Në situata të vështira financiare njerëzit heqin dorë nga shpejtësia, nëse transporti publik është pa pagesë. Stadtgeograf Tauri Tuvikene empfiehlt ein günstiges Ticket Gjeografi urban Turi Tuvikene megjithatë rekomandon një biletë të lirë, në mënyrë që me të ardhurat të përmirësohet infrastruktura dhe në të njëjtën kohë të ketë motivim që për distanca më të shkurtra të përdoret biçikleta. | © Goethe-Institut Tallinn „Po, është e vërtetë që para se të bëhej transporti publik pa pagesë, çmimet ishin një problem për shumë pasagjerë“, thotë Tauri Tuvikene, gjeograf urban në Universitetin e Talinit, i cili tani punon në një projekt me titull „Public Transport as Public Space in European Cities: narrating, experiencing, contesting“ (Transporti publik si hapësirë ​​publike në qytetet evropiane: histori, përvoja, analiza kritike).

A është i mjaftueshëm vetëm transporti publik pa pagesë?

„Në të gjithë botën, transporti publik pa pagesë shihet gjithashtu si një kontribut për të drejtën sociale dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë. Nuk ka asgjë të keqe këtu. Megjithatë, unë preferoj një biletë të lirë dhe të përballueshme, në mënyrë që njerëzit të preferojnë të ecin ose të përdorin biçikletën në distanca më të shkurtra “, thotë Tuvikene.
 
Ai thekson se transporti publik pa pagesë ishte modeli më i qëndrueshëm në kushtet e virusit Korona, kur numri i udhëtarëve ishte shumë i ulët. „Për shembull, sistemi i transportit publik në Londër ishte goditur shumë rëndë, pasi që pothuajse 100 % e të ardhurave të tij vijnë nga shitja e biletave. Në ndërkohë, duhej që të shpëtohej nga kolapsi me fonde mbështetëse.“
 

Për momentin, transporti publik pa pagesë në Talin është akoma në një fazë eksperimentale për të zbuluar nëse një ofertë falas mund të bëhet efikase. Kjo mund të shërbejë si dëshmi se vetëm një transport publik pa pagesë nuk është i mjaftueshëm. Në mënyrë që ajo vërtetë të përdoret nga njerëzit dhe të mbështet një politikë të qëndrueshme, në të njëjtën kohë duhet të zgjerohen edhe sistemet e lëvizjes në qytete. Hapi i parë është ndërmarrë, tani duhet të pasojnë hapat tjerë – në  Talin dhe në të gjithë botën.

Si mund të ndalojë „Obsesioni ndaj veturave“? 

Ne jetojmë në epokën e lëvizjes së motorizuar. Qoftë me aeroplan, anije apo makinë, po shënohet një vrull i madh i zhvillimit në të gjitha fushat. Sipas vlerësimeve,  nga mesi i shekullit, në tokë mund të ketë dy deri në tre miliardë vetura. Me rritjen e trafikut të veturave, megjithatë, do të ketë edhe ngarkesa për klimën, mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Premtimi i një autonomie të lëvizjes individuale po arrin kufijtë e tij. Në raportet me temë ”Obsesioni ndaj veturave”, autorë të ndryshëm shohin tre zgjidhje të mundshme dhe pyesin se si mund të bëhet e mundur një lëvizje më e qëndrueshme.