Standardet e cilësisë
Ekspertë dhe eksperte, me përvojë në mësimdhënie dhe testim, përpilojnë detyrat e testeve. Redaktimi përfundimtar kryhet në Mynih. Para vënies në përdorim, detyrat e provimit testohen në kushte provimi dhe në fund bëhet vlerësimi cilësor dhe sasior i rezultateve. Testuesit trajnohen dhe kualifikohen në seminare qendrore dhe lokale.
Si mund ta njihni cilësinë e mirë:
Paanësia
Provimet duhet të jenë të paanshme dhe të drejta – pavarësisht nga seksi, prejardhja etnike apo kufizimi i aftësive të ndryshme.
Vlefshmëria
Në një provim gjuhe, duhet të merren parasysh vetëm aftësitë gjuhësore, dhe jo aftësia e përqendrimit, inteligjenca apo njohuritë e përgjithshme.
Korrektësia
Me vendosjen e dy testuesve për vlerësimin e provimit, arrijmë një shkallë të lartë të korrektësisë në vlerësim.
Prakticiteti
Ne punojmë vazhdimisht në përmirësimin e provimeve tona: në kohëzgjatjen e testit, në përdorimin e teknikës moderne si edhe në kushtet e përgjithshme.
Kritere të njësuara të cilësisë:
Si bashkëthemelues i Association of Language Testers in Europe (ALTE) jemi të angazhuar në zhvillimin dhe vënien në zbatim të standardeve të cilësisë.ALTE i ka vënë vetes qëllimet e mëposhtme:
- njësimin e të gjitha niveleve gjuhësore për të mbështetur njohjen ndërkombëtare të certifikatave të gjuhës në Evropë.
- njësimin e kritereve të cilësisë për të gjitha fazat e hartimit dhe të zhvillimit të provimeve, dmth. ndërtimin e testit, zhvillimin e provimit, vlerësimin, certifikimin, analizën dhe ruajtjen e të dhënave.
- bashkëpunimin në projektet e përbashkëta si dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe të njohurive.