Diversiteti në fushën e filmit
„Ne të gjithë jemi model!“
Aktorja, regjisorja dhe producentja Sheri Hagen angazhohet për më tepër diversitet në fushën e filmit gjerman. Çfarë duhet të ndryshojë para dhe pas kamerave.
Zonja Hagen, studimi „Vielfalt im Film“ („Diversiteti në film“) këtë vit ka dëshmuar se diskriminimi paraqet një problem të madh në fushën e filmit gjerman. Kjo del nga një anketë në internet, në të cilën nga korriku deri në tetor të vitit 2020 morën pjesë mbi 6.000 punonjës të kinematografisë nga 440 profesione. Për çfarë keni marrë pjesë në grupin iniciativ, i cili e ka përpiluar përmbajtjen e pyetësorit?
Doja të dija në fakt se sa jemi të shumëllojshëm para dhe pas kamerës. Nëse ndjenja ime për monotoninë më mashtron, ose më në fund numrat dëshmojnë se peizazhi ynë i filmit dhe ai televiziv punon me përjashtime.
A ka pasur diçka nga rezultatet që ju ka befasuar?
Fakti që 81 për qind e grave shpeshherë përjetojnë ngacmime seksuale në kontekst pune dhe se më shumë se 70 për qind e njerëzve me prejardhje emigrante e shohin veten si klishe. Kjo konfirmon se përmbajtjet tona i tregohen vetëm një auditori të caktuar.
A ka ndryshuar diçka nga koha e publikimit të këtij studimi?
Ky studim krijon diskurse në shoqata dhe institucione të filmit, por ashtu si edhe më herët, mungon guximi për të ndërmarrë hapa të mëdhenj dhe në film të zbatohet diversiteti. Nevojitet një zbërthim i instituteve të financimit të filmit. Produksionet e filmit duhet të forcohen financiarisht në atë mënyrë që të bëhet e mundur qasja pa barriera. Filmi duhet parë si një e mirë edukative, në mënyrë që të zvogëlojë diskriminimin. Ai duhet të ofrojë modele për të gjithë dhe t’i pasqyrojë njerëzit në diversitetin e tyre.
Çfarë roli ka luajtur deri më tani tema e diversitetit në financimin e filmit?
Unë vërtet nuk jam e sigurt nëse Gjermania në të vërtetë dëshiron më shumë diversitet. Përmbajtja pothuajse nuk ndryshon, dhe unë shoh më pak ekipe diverse. Për shembull, unë rrallë shoh njerëz me lëkurë të errët ose njerëz me aftësi të kufizuara të jenë në pozicione kyçe. Përderisa asgjë nuk ndryshon pas kamerës dhe në përmbajtje, diversiteti në film mbetet një utopi.
Në vitin 2020, Financimi i filmit në Hamburg, Schleswig-Holstein ka vënë në funksion një listë kontrolli të diversitetit. Projekti Juaj i filmit „Billie“ më pas u financua me 25.000 euro. Cilat ishin përvojat Tuaja me listën e kontrollit?
Unë jam shumë e lumtur që e kam këtë vegël të dobishme të vetë-verifikimit. Lista kontrolluese ka ndezur debat dhe ka dhënë hapësirë; Që atëherë, tregimtarëve të rinj u është dhënë një mundësi. Vetëm se është për të ardhur keq që jo shumë institucione financuese iu përmbajtën kësaj. Shumë flasin për më tepër diversitet, ndërsa i përmbahen strukturave të vjetra. Një listë kontrolli për personat krijojnë vepra gjithashtu nuk është e mjaftueshme, ne kemi nevojë për diçka të ngjashme edhe për vendimmarrësit e transmetuesve.
Kritikët e listës kontrolluese thonë se ajo do ta kufizojë lirinë artistike.
Këtë e dëgjoj gjithnjë. Çfarë mendohet me liri artistike? Vallë qenka gjoja liri e artit për t'u kapur pas strukturave të vjetra të pushtetit? Atë duhet ta duroj gjatë gjithë kohës. Histori në pajtim me sistemin që nuk përputhen me realitetin. Lista kontrolluese e diversitetit është një përpjekje për të provuar diçka të re. Diversiteti nënkupton më shumë mundësi për të treguar, më shumë kompleksitet në histori, por edhe për të pasqyruar realitetin në ekipet pas kamerës, një pjesëmarrje të barabartë për të gjithë.
Çfarë domethënie do të duhej të ketë diversiteti në film?
Në të vërtetë nuk ka ndonjë domethënie. Duhet të jetë e tillë që, natyrisht, të gjithë të mund të shihen dhe dëgjohen. Shoqëria jonë është me shumë shtresa dhe e diverse, realiteti ynë është me shumë shtresa dhe divers, pse të mos jetë kjo e shprehur edhe në film e televizion dhe në ekipe? Si fëmijë, unë kurrë nuk e pashë veten në film apo televizion gjerman, dhe as fëmijët e mi nuk shihen. Shpresoj që nipërit e mbesat e mia natyrisht të jenë në gjendje të marrin pjesë, pa u ekspozuar, thjesht në mënyrë njerëzore, pa ndonjë shenjë origjine.
UFA gjithashtu dëshiron që diversitetin ta pasqyrojë më mirë. Kishte një iniciative #actout, Në “Vendin e krimit” në NDR u përdor një „Inclusion Rider“. Cila nga këto qasje mendoni se ka kuptim?
Konsideroj se të gjitha janë në rregull dhe të pashmangshme. Çekuilibri është thjeshtë shumë i madh, kështu që çdo nismë dhe çdo vetëdijesim se producentët e mediave bartin përgjegjësi shoqërore janë shumë të rëndësishme.
Cilat janë kërkesat Tuaja për të ardhmen e sektorit të filmit gjerman?
Kërkoj një kuotë 50:50 në bazë mesatare. Përshtatja e standardeve britanike të diversitetit BFI, trajnuesve për kujdes dhe intimitet në xhirime dhe produksione, si dhe filma pa pengesa.
Regjisorja Sarah Blaßkiewitz lidhur me racizmin e përditshëm thotë se njerëzit e prekur tregojnë problemet, por nuk mund të ofrojnë zgjidhje. Si e shihni Ju këtë?
Ngjashëm. Organizatat që përfaqësojnë njerëz të ndryshëm jo të privilegjuar tashmë ofrojnë zgjidhje apo masa të ndryshme. Por ato nuk pranohen, madje as nga politika. Shumë shpesh, sulmet raciste nuk kanë pasoja. Ne të gjithë kemi një përgjegjësi shoqërore, veçanërisht vendimmarrësit, jo vetëm personat që krijojnë vepra. Ne të gjithë jemi model!